Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar SPAK dhe Gjykatës së Lartë, për hetimet dhe vendimet ndaj anëtarëve të vettingut. KPA njihet dhe si shkalla e dytë e vettingut dhe jep vendimin final për gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen këtij procesi.
Në shkresën zyrtare përmenden kronkretisht rasti i gjyqtarit Luan Daci dhe Ardian Hajdari.
“Gjyqtarët e Kolegjit shprehin shqetësimin se kallëzimet penale dhe procedimet lidhur me to si edhe mosshqyrtimi apo gjykimi, brenda afateve proceduriale veçanërisht i çështjeve të sipërpërmendura, por jo vetëm, kanë vështirësuar ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore të Kolegjit, për më tepër i ka vendosur ata nën një presion të vazhdueshëm për kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese, duke rrezikuar në këtë mënyrë seriozisht funksionalitetin e Kolegjit, për rrjedhojë dhe të vetë procesit të rivlerësimit”, thuhet ndër të tjera në shkresën që shefja e KPA i ka dërguar SPAK dhe Gjyaktës së Lartë.