Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës të cilit ju vendos dje tritol në derën e shtëpisë në Fushë Krujë, ka treguar sot detaje nga ngjarja. Ai ka thënë se autori ka qenë një dhe sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ka zbritur nga një makinë gri dhe ka hedhur lëndën plasëse në katin e parë.
“Lënda eksplozive u vendos dje në orën 22:00, në momentin e ngjarjes isha me familjen dhe fëmijët në banesë. Autorin e pashë nga monitorët e kamerave të sigurisë, ishte një person që zbriti nga një makinë gri, ishte i vetëm.
Autori ishte me kapele dhe me maskë anti- Covid. Kam patur kërcënime edhe dy vite më parë. Mendoj se ngjarja ka lidhje me zhdukjen e vëllait tim, Enverit. Gjithçka që pashë e kam treguar në polici. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për zhdukjen e vëllait tim. Prokuroria thotë po hetojmë, deri tani s’ka asnjë zhvillim”, ka thënë Naim Stafuka për Fax News.
Stafuka dhe familja e tij jetojnë në katin e tretë të banesës ku u vendos lënda plasëse, ndërkohë që lokali në katin e parë është dhënë me qira. Lokali është i pajisur me kamera sigurie, që janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe pritet që të hedhin më shumë dritë rreth ngjarjes.