Hapësire reklamuese

Aktualitet

Tremujori i katërt 2023 i bekuar, 1.038 lindje më shumë se sa vdekje, përveç Korçës

Shkruar nga Newsbomb

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e katërt 2023 në Shqipëri regjistron 1,038 lindje më shumë se sa vdekje. Një bilanc pozitiv për Shqipërinë dhe për disa qarqe të vendit, përveç Korçës që ka rezultuar me shtesën natyrore më të ulët, me më shumë vdekje sesa lindje.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, të përpunuara nga newsbomb.al, numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 është 5.857, duke shënuar një rënie me 7,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Ndërsa, numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2023 është 4.819, duke shënuar një rënie prej 10,5 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Në tremujorin e katërt 2023, shtatë qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 833 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 139 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet

Në tremujorin e katërt 2023, nëntë qarqe të vendit shënojnë rënie të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2022. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.126 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 104 lindje.

Rënien më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022 e shënon qarku i Kukësit me 18,8 %.

Vdekjet

Në tremujorin e katërt 2023, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë rënie të numrit të vdekjeve, ndërsa qarku i Dibrës ka mbetur në të njëjtin nivel vdekjesh, në krahasim me tremujorin e katërt 2022.

Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 109 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.293 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022, e shënon qarku i Vlorës me rënie prej 27,0 %.

Të dhënat tremujore për lindjet dhe vdekjet, në nivel kombëtar dhe qarku përbëjnë një hallkë të rëndësishme të demografisë së vendit. Ato paraqesin të dhëna mbi ndryshimet në popullsi, të cilat kanë impakt në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Të dhënat e lindjeve sipas karakteristikave bazë demografike sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri. Konsiderohen të gjitha lindjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh lindjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile, pranë ish-vendbanimeve të tyre.

Edhe të dhënat e vdekjeve, sipas karakteristikave bazë demografike sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e vdekjeve të banuesve në Shqipëri. Konsiderohen të gjitha vdekjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh vdekjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese