
Ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann ka përkujtuar sot tërmetin tragjik që goditi vendin tonë dhe la pas 51 viktima. Përmes një video-mesazhi, ajo thotë se pas tre vitesh, shumë shkolla, kopshte dhe vende historike janë rindërtuar falë mbështetjes së BE-së.
“Sot tre vjet më vonë shohim një numër shkollash dhe kopshtesh që janë rindërtuar. Shohim vende historike që janë restauruar dhe po restaurohen tani. Me moton tonë ‘Të rindërtojmë më mirë’, tani kemi shkolla që përmbushin standardet europiane dhe vende historike që janë rindërtuar me gjithë shkëlqimin e tyre për t’u gëzuar nga brezat e ardhshëm.
Në do të vazhdojmë me programet tona kryesore ‘BE për kulturën’ dhe ‘BE për shkollat’ që të vazhdojmë rindërtimin.
Tani dua të falënderoj popullin shqiptar për rezistencën dhe forcën për ndërtimin e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues. Jam këtu për t’iu bërë edhe një premtim: BE është këtu që të vazhdojë t’iu mbështesë, por edhe për t’iu ndihmuar të ndërtoni të ardhmen tuaj në BE", thotë ambasadorja Christiane Hohmann.
Mëngjesi i 26 nëntorit i vitit 2019, ishte një mëngjes i zi për të gjithë shqiptarët. Vendi ynë u trondit nga një tërmet i pabesë, i pamëshirshëm, i cili nuk kurseu, gra, të moshuar madje dhe fëmijë të cilët sapo kishin filluar të thurnin ëndrrat për jetën e tyre, ëndrra të cilat u prenë në mes nga lëkundjet e tmerrit.
Lexo edhe: Tre vite nga tragjedia e 26 nëntorit, Shqipëria ende me plagën e freskët nga lëkundjet e tmerrit