Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar sot se asgjë nuk do e ndalë hetimin e skandalit “McGonigal” dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.
Ai deklaroi në një dalje për shtyp se ish-zyrtari i FBI-së, Charles Mc Gonigal nuk ka bërë thjesht katër vizita në Shqipëri, por janë shumë të tepër dhe që nuk janë raportuar sipas ligjit në SHBA.
Meta bëri të ditur se tre porositë e para që kryeministri Edi Rama i ka dhënë ish-zyrtarit të FBI, sipas tij kanë qenë pikërisht për Metën në kohën kur ai ishte President i Republikës së Shqipërisë.
Meta: Nën dirigjimin e Edi Ramës, i kapur në flagrancë në një komplot të qartë kundër demokracisë, pluralizmit politik e rendit kushtetues në vend duke përdorur, manipuluar joshur e korruptuar zyrtarë të lastë të vendeve partnere.
Çdo përpjekje e Ramës për t’ju shmangur përballjes me të vërtetën, përfshirë dhe hetimin parlamentar për këtë aferë skandaloze korrupsioni, është një konfirmim i fajësisë së tij e tentativë e dëshpëruar për t’ju fshehur si skuth llogaridhënies së pashmangshme
Asnjë shqiptar s’do pranojë të ketë një kryeministër zyra e të cilit është e inkriminuar deri në grykë në veprimtari të paligjshme.
Përdorimi i McGoningal në mënyrë të paligjshme e korruptive nga Rama në postin e kryeministrit kundër opozitës e kundërshtarëve politik, shumë flagrantë, më i gjerë dhe më i thellë se faktet e ekspozuara publikisht deri tani.Hetimi i kësaj cështje nga SHBA, shumë i rëndësishëm. Asgjë s’do e ndalë zbardhjen e “Rama-Mc Gonigal” në vendin tonë.
Jam shumë i nderuar që tre porositë e para që i ka dhënë Edi Rama këtij zotërisë që është ndaluar nga FBI-ja, i ka dhënë kundër presidentit në detyrë në atë kohë Ilir Metës, për të bërë hetime të paligjshme nën autoritetin e FBI-së, për të ndikuar këtu dhe jashtë vendit dhe për të marrë dëshmi të rreme.
Nuk janë 4 vizita, aq janë regjistruar për momentin. Nga hetimi do të dalin shumë më tepër vizita të paraportuara sipas ligjit të Shtetit amerikan që kanë qenë në funksion të lojërave të Edi Ramës për të shkatërruar stabilitetin.
Ne kemi punën tonë dhe drejtësinë tonë. Ne kemi dhe drejtësinë e popullit. Këta persona janë takuar dhe me prokurorë, dhe me gjykatës, me njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë dhe janë përdorur nga Edi Rama për të bërë shantazhe dhe mashtruar.