“Shtëpia pa dritare” quhet komedia e Saimir Kondos e cila, do të shfaqet për tre ditë rresht (30-31 dhe 1 shkurt) në Teatrin Kombëtar. Mes kaosit politik njeriu i thjeshtë e ka të pamundur të jetojë në mënyrë të ndershme . Kjo është lufta e heroit të paemër për të cilin askush nuk flet. Ky hero e ka një emër në fakt, ai quhet Neritan. Ai është aq i ndershëm sa ka ndërtuar një shtesë pranë shtëpisë së tij krejt pa dritare. Po, se beson në ligj dhe ligji nuk të lejon të bësh dritare përballë dritares së komshiut. Por ndonëse është kaq i rregullt dhe i sinqertë do t'i duhet të përballet me një sërë rrethanash dhe personazhesh që nuk ndajnë të njëjtat parime morale me heroin tonë.
Dhe ai lufton një betejë epike, të padukshme dhe heroike, që ka njëzetekatër vite që zhvillohet në vendin tonë. Do t’ja dalë mbanë?