Transferimi i studimeve nga insitucionet private të cilëve u është hequr licenca, drejt institucioneve publike të arsimit të lartë duket se ka sjellë të tjera problem.
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të marrë me datë 1.08.2014 këta studentë detyrohen të paguajnë deri në 7 herë më shumë tarifën shtetërore aktuale që paguajnë studentët e tjerë të arsimit të lartë publik.
Për ta kundërshtuar këtë vendim, studentët kanë përgatitur një kërkesë e cila sot do të dërgohet në Parlament për të marrë firmat e 28 deputetëve të Kuvendit, me qëllim dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të Vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr.716, datës 29.10.2014 pika 4.
Përfaqësuesi i studentëve, avokati Adriatik Lapaj, shprehet për newsbomb.al se Vendimi i Këshillit të Misnistrave shkel Kushtetutën në nenin 18 të saj ku përcaktohet se: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Ky nen nënkupton barazinë në dy drejtime:
1-Barazia në kuptimin formal, ose barazia përpara ligjit që u siguron të gjithë shtetasve barazi të drejtash, pra në këtë rast, të drejtën për t’i vazhduar studimet, por vetëm barazia thelbësore, ose barazia materiale, ekonomike e sociale u siguron të gjithëve të njëjtën mundësi për ti ushtruar këto të drejta.
2-Barazia thelbësore është ajo që garanton ushtrimin real të të drejtave në mënyrë të barabartë. Në rastin e të drejtës për arsimimim (neni 57 i Kushtetutës), kjo e drejtë saksionohet si e drejtë e barabartë për të gjithë, por faktorë të ndryshëm, ekonomikë, socialë nuk e lejonë këtë barazi.
Pra siç mund të kuptohet, studentëve që vijnë nga institucionet e arsimit të lartë privat që u është hequr licenca, u jepet e drejta për të vazhduar studimet, por u kushtëzohet kjo e drejtë me trajtim të diferencuar duke i detyruar të paguajnë tarifa deri në 7 herë më të larta se kolegët e tyre.