Ekipet e kërkim shpëtimit nuk kanë gjetur asnjë të mbijetuar deri më tani nga avioni me 132 persona në bord, i cili u rrëzua në Kinën jugore.
Hetuesit thanë se nuk kishin informacion se pse fluturimi i “MU5735” i Kinës Lindore u rrëzua këtë të hënë. Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në vendin e rrëzimit të avionit të Boeing 737-800 në provincën Guangxi, por puna e tyre pengohet nga terreni i vështirë.
Ndërkohë familjet e pasagjerëve dhe ekuipazhit janë duke pritur për lajme në lidhje me të afërmit e tyre.
Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar numrin e viktimave apo identitetet e tyre, si dhe shkakun e rënies së avionit.
“Deri më tani, puna e kërkim-shpëtimit nuk ka gjetur asnjë të mbijetuar. Duke pasur parasysh informacionin e disponueshëm aktualisht, ne ende nuk kemi një vlerësim të qartë të shkakut të rrëzimit”, u tha gazetarëve Zhu Tao, drejtor i zyrës së sigurisë së aviacionit në AAC.