Hapësire reklamuese

OpEd

Topin e ka Rama, penalltitë i gjuan vetë!

Shkruar nga Newsbomb
Topin e ka Rama, penalltitë i gjuan vetë!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al

Është i njohur fakti që kryeministri shqiptar është një tifoz i Juventusit të Torinos!

Nuk dihet nëse ai e përjeton “tifozllëkun”si Braçja që ka nën vete apo e bën thjesht për aksesor imazhi dhe “piari” politik. Fakt është që dy mandatet e tij qeverisëse kanë koinciduar me një dominim të Juventusit në kampionatin italian dhe figurë qesharake në Champions League. Pak a shumë si dominimi i tij në pushtetin politik në vend dhe dështimi në integrimin evropian.

Të dielën në mbrëmje kryeministri ka ka kaluar një siklet me shije jo pak të hidhur!

Ai ka nxituar të postojë në rrjet një bluzë të personalizuar dhuratë nga klubi torinez. Bluza (natyrisht bardhezi) kishte të stampuar numrin 3 në shpinë, si simbol i fitores së mandatit të tretë. Postimi u bë disa orë përpara ndeshjes decizive me skuadrën Milan, për një vend në Champions League. Në letër, ajo që pritej të ndodhte në fushë, i shkonte për shtat optimizmit të tij arroganto-delirant. Por futbolli nuk është si zgjedhjet, rezultatin e të cilave ti e kontrollon deri në përmbysje të shifrave, futbolli luhet përpara syve të të gjithëve. Për analogji me qeverisjen tonë, Juventusi ka një reputacion të njohur në Botë për vjedhje në fushën e lojës, por kur dominohet totalisht nga skuadra kundërshtare, nuk ka vjedhje që ta shpëtojë.

Kjo ndodhi të dielën në mbrëmje, në ndeshjen Juventus – Milan.

Gomari i maskuar si zebër, dje pësoi një katastrofë.

Për koincidencë, Juventusi pësoi 3 gola dhe për akoma më tepër koincidencë, u mund nga ‘djajtë’ kuq e zi, nga ngjyrat e flamurit tonë kombëtar.

Ata që merren me studimin e simbolikave, kanë shumë material për të gjykuar nëse kjo që ndodhi në Torino është një ogur i keq për mandatin e tretë ose jo!

Ne të tjerët, që fati na dikton të qëndrojmë përherë me këmbë në tokë, duhet të mos hutohemi nga këto “simbolika” dhe të merremi seriozisht me situatën në vend. Periudhën paszgjedhore, kampet kundërshtare po e kalojnë në mënyra të ndryshme. Fituesit, pas festimeve po relaksohen. Në fakt, “gjeneralët e luftës” nuk janë edhe aq të qetë, sepse presin me njëfarë ankthi se çfarë ‘cope do t’u hedhë luani’, i cili është i tillë në jetën reale dhe jo gomar me pizhama bardhezi, siç shitet në media.

Humbësit janë të hallakatur. Të zhgënjyer nga mosmarrja e pushtetit, ata po rreken të ndajnë atë (jopak) plaçkë që përftohet nga të qenit në opozitë. Lufta është midis atyre që kërkojnë dividentin e aksioneve që pretendojnë se kanë në këtë parti dhe atyre që mendojnë se partia duhet të vazhdojë të jetë e njerzve që punojnë për dhe me ‘familjen’.

Ndërkaq, topin e ka Rama.

Me shumë gjasa, penalltitë do t’i gjuajë ai dhe vetëm ai, në këto katër vitet që vijnë.

Midis të tjerash, ai ka në dorë të bëjë 3 gola shumë të rëndësishëm:

1.            Golin e hapjes (së vërtetë) të negociatave.

2.            Golin e fillimit të funksionimit të drejtësisë së drejtë.

3.            Golin e realizimit të investimeve strategjike dhe rregullimit të financave të vendit.

Këto penallti është i deturuar t’i gjuajë dhe ti bëjë gol në pjesën e parë të ‘lojës’, në dy vitet e para, në të kundërt opozita ka motive për të ngritur popullin që ‘t’i marrë topin’.

Tani për tani opozita duhet të rimodelojë vetveten, që të jetë e aftë të reagojë kur ai që ka topin të gjuajë penalltitë e tij dhe t’i humbasë ato!

Sondazh

Poll