Hapësire reklamuese

Politikë

Tom Doshi zyrtarisht kandidat në zgjedhjet e 25 prillit, Celibashi miraton listën e PSD-së, Ivi Kaso e kundërshton

Shkruar nga Newsbomb
Mbledhje ne KQZ

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po zhvillon mbledhjen e radhës për shqyrtimin e kërkesave të disa partive politike për miratimin e listave të tyre për zgjedhjet e 25 prillit.

Teksa përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate kërkoi miratimin e listës së partisë së tij, përfaqësuesi i PD Ivi Kaso e ka kundërshtuar, pasi deklaroi se kandidatit Tom Doshi nuk i lejohet të garojë.

Sipas tij, vendimi i dëbimit nga SHBA është i barazvlefshëm me dënimin me burg, ndaj kryetarit të PSD-së nuk i lejohet të kandidojë.

“Ne e kemi bërë publik qëndrimin tonë dhe i akemi drejtuar KQZ-së. Është një qëndrim që shkon në vijën e ligjit për dekriminalizimin. Kemi të bëjmë me një rast që është i pastër në ato që parashikohen në nenin 2 të ligjit. Kandidati i ëktij subjekti është i dëbuar nga një shtet. Disa vende përdorin dëbimin nga territori i tyre në vend që të dënojnë me burg. Këtij subjekti nuk i lind e drejta të kandidojë për shkak të ligjit të dekriminalizimit”, tha Ivi Kaso.

Ndërkohë përfaqësuesi i PSD-së ka deklaruar se të gjitha dokumentet janë në rregull dhe nuk ka asnjë arsye që Tom Doshi të mos kandidojë.

“Ne si parti i kemi dorëzuar dokumentat në rregull dhe nuk shohim që asnjë nga kandidatët tanë, qoftë edhe kryetari i partisë, nuk bëjnë kusht për të mos kandiduar. Çdo gjë është dokumentuar e saktë, nuk është fshehur asgjë”, tha përfaqësuesi i PSD-së.

Në fund ka qenë kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi ai që ka vendosur që lista e PSD-së të miratohet pa asnjë ndryshim.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll