Horgito Peqini dhe Klaudjan Sallufi do të qëndrojnë në burg. Kështu ka vendosur sot Gjykata e Elbasanit, për dy personat e përfshirë në vrasjen e 33 vjeçarit Madrit Ulqinaku në mes të qytetit, një javë më parë.
Të shtunën, togat e zeza të Elbasanit kanë dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ejden Dinon, 18 vjeçarin që u arrestua menjëherë pas vrasjes. Kur ndodhi ngjarja ai ishte nën shoqërinë e autorit të dyshuar Horgito Peqini dhe shokut tjetër Klaudjan Sallufit.
Horgito Peqini akuzohet nga Prokuroria se është autori i vrasjes dhe personi që ka tërhequr këmbëzën e pistoletës, kurse dy shokët e tij e kanë ndihmuar të largohet nga vendngjarja dhe janë fshehur edhe vetë derisa u arrestuan nga Policia.
18 vjeçari, sipas deklarimeve të shokut të tij Ejden Dino, kishte konsumuar kokainë atë pasdite dhe kishte dalë me armë me vete në qytet. Aty, sipas raportimeve, është ndeshur me Madrit Ulqinakun dhe pas një debati të momentit, e ka qëlluar për vdekje me armë.
Ai sapo kishte dalë nga kafja dhe ishte drejtuar për në makinën e tij, por në trotuar ishte ndeshur me tre të rinj, njëri prej të cilëve i mori jetën.
Fillimisht u raportua se ngjarja kishte ndodhur pas një përplasje banale bërrylash në trotuar, por grupi i hetimit ka dyshime të forta se vrasja e Madrid Ulqinakut, mbrëmjen e 17 gushtit 2022, ka qenë e menduar mirë dhe jo e ndodhur aty për aty. Pra, krimi mund të jetë kryer me paramendim.
Kjo pasi Horgito Peqini dhe Klaudjan Sallufi, janë proceduar nga policia e Elbasanit për “vjedhje”, “Mbajtje pa lejë të armëve” dhe “Shpërndarje të lëndëve narkotike”. I proceduar për “Shpërndarje të lëndëve narkotike”, ka qenë dhe viktima Madrid Ulqinaku, i cili ka pasur njohje me tre personat përfshirë në këtë konflikt.
Lexo edhe: Vrau Madrit Ulqinakun në mes të Elbasanit, prangoset autori 18 vjeçar, nip i “Mandelës”