Hapësire reklamuese

Aktualitet

Tjetër rekord të infektuarish, Ministria e Shëndetësisë i rikthehet dënimeve: Kush të mundet të punojë nga shtëpia! Thyerja e rregullave rrezikon shëndetin (APELI)

Shkruar nga Newsbomb
Rovena Daja

Ditën e sotme është shënuar tjetër rekord i rasteve të reja me Covid, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 57 raste të reja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon bizneset dhe qytetarët të respektojnë rregullat, ndërsa rekomandon bizneset, institucionet dhe kompanitë, dhe kudo ku është e mundur të punohet nga  shtëpia për të frenuar përhapjen e Covid19.

Sakaq, Shëndetësia sot ka theksuar se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet.

"Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19.

Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për përsonat e prekur nga Covid19.

Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjt në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik dhe higjienës personale. Inspektoret e task-forcës anti-covid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura. 

Edhe një herë ju drejtohemi qytetarëve: Jemi ende në luftë me një armik të padukshëm dhe këtë luftë mund ta fitojmë të gjithë së bashku duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, qëndroni në distancë fizike, lani duart, përdorni maska në ambjente të mbyllura. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40, për informacion rreth Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127", deklaron Ministria e Shëndetësisë. 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll