
Kanadaja do të sigurojë 650 milionë dollarë shtesë (452 milionë euro) në ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë tre viteve të ardhshme.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Justin Trudeau në parlamentin në Otava sot me rastin e një vizite të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Kjo ndihmë do të përfshijë dërgimin e rreth 50 automjeteve të blinduara në Kiev dhe trajnimin e pilotëve ukrainas me avionë luftarakë F-16 .
Zelensky i kërkoi Kanadasë të qëndrojë pranë Ukrainës "deri në fitore". “Faleminderit për ndihmën tuaj”, i tha presidenti ukrainas popullit kanadez. "Ju keni qenë me ne që në ditët e para të këtij pushtimi. Unë shpresoj se do të qëndroni pranë nesh deri në fitoren tonë ," shtoi ai.
Zelensky do të mbajë një fjalim në parlamentin kanadez, diçka që nuk e bëri në Kongresin Amerikan, ku ishte dje. Më pas ai do të udhëtojë me Trudeau në Toronto, ku do të takohet me biznesmenë dhe anëtarë të komunitetit kanadezo-ukrainas. Kanadaja është shtëpia e komunitetit të dytë më të madh ukrainas në botë, pas atij të Rusisë, i vlerësuar në 1.4 milion njerëz