Disa ditë më parë Newsbomb.al bëri publik skandalin në Kishën e Shën Harallambit në Sarandë, ku një njoftim i afishuar në hyrje i bënte thirrje besimtarëve që për shërbesat fetare të pagëzimit dhe ceremonisë mortore duhej t’i drejtoheshin zyrës funerale të At Lekë Mëhillit.
Por ditët e fundit, qëllimi i kësaj fushate është bërë i qartë nga vetë goja e Mitropolitit të Gjirokastrës Dhimitër Dikboshan, i cili pasi ka mbajtur meshë në gjuhën greke, i ka bërë thirrje besimtarëve të krishterë të bojkotojnë agjencitë funerale që kanë pronarë myslimanë.
Kjo thirrje i ka habitur besimtarët e qytetit bregdetar, të cilët për më shumë vite se sa Mitropoliti i ka shërbesa në Kishë, kanë bashkëjetuar në harmoni mes banorëve të besimeve apo edhe etniciteteve të ndryshme.
Thirrje të tilla rrezikojnë të fusin përçarjen mes banorëve në Sarandë por edhe më gjerë. Nxitja e urrejtjes për të bojkotuar biznese për shkak të besimit të pronarit, rrezikon të shkatërrojë harmoninë fetare që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë.
Në raste nevojash, gëzimesh por edhe biznesi, shqiptarët kurrë nuk janë diktuar nga besimi fetar i tjetrit.