Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehet optimist se nga marrëveshja me Serbinë, Kosova do të përfitojë territore të banuara nga shqiptarët si Lugina e Preshevës, Bujanovci dhe Medvegja.
Thaçi u shpreh për mediat se dialogu është e vetmja rrugë që Kosova të vazhdojë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Ata që janë kundër dialogut me Serbinë, janë kundër përparimit të Kosovës”, u shpreh Thaçi.
“Ky është një shans që na ka dhënë bashkësia ndërkombëtare, por nuk do jetë përgjithmonë. Këtë shans që na është dhënë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ne duhet ta shfrytëzojmë”, u shpreh Thaçi, raporton Newsbomb.al.
Sipas presidentit Thaçi, asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë pa pëlqimin e SHBA-ve dhe BE-së.
Lidhur me çështjen e kufijve, Thaçi u shpreh se ata që flasin për Trepçën dhe Liqenin e Gazidovës, duke nënkuptuar shkëmbim territoresh në veri të Kosovës, janë njerëz që nuk ia duan të mirën vendit.
Thaçi tha se për vendimin përfundimtar do të vendosin qytetarët e Kosovës, si dhe për ndryshimin e kufijve do të aplikohet referendumi. /Newsbomb.al