
Deklarata shokuese e Alfred Cakos në TCH se të sëmurët me kancer duhet të mos ndjekin kurën e kimioterapive, duket se ka shkaktuar irritim për disa, por për të tjerë është ndjekur me interes.
“Kimioterapia shërben për të përhapur kancerin në trup jo për ta izoluar. U them të gjithëve: mos bëni kimioterapi por përpiquni të kuroheni me omneopathi. Është e vetmja mënyrë për të rritur imunitetin, me mënyrën e të ushqyerit me fibra dhe këto asnjëri nuk I thotë. Psh shoqatat e kancerit në gjithë vendet e botës nuk thonë “shoqatat e shërimit të kancerit”. Po të shikosh doktorët që merren me kancerin janë kthyer në biznesmenë”, tha Alfred Cako në emision në TCH.
Kaq ka mjaftuar, që I pari që reagon është Endri Shabani nga “Nisma Thurje” duke kërkuar publikisht që gazetarët të mos u japin hapësirë këtyre sharlatanëve që ndikojnë drejtpërsëdrejti tek popullata, sidomos tek ata që janë pak të informuar.
Shkruan Endri Shabani:
Konkurenca për reklama i vendos mediat dhe gazetarët në një presion të vazhdueshem për audience. Numri i klikimeve apo grafiket e audiencës janë kthyer në instrumentin kryesor matës së punës së tyre, madje edhe të peshës së një gazetari apo emisioni.
Për pasojë gazetarët janë në kërkim të vazhdueshem të dickaje që tërheq vëmendjen tonë.
Fatkeqësisht vëmendjen tonë e tërheqin gjërat negative, të cilat zgjojnë instiktet bazë: si frika, ankthi dhe inati.
Prandaj media promovon vazhdimisht ngjarje si vdekje, vrasje, sëmundje, tragjedi, krim dhe sherr. Të gjitha këto na japin një ndjesi që bota është e pasigurtë, por na mbajnë të lidhur tek televizori (dhe të blejmë më shumë).
Nga ana tjetër, media perpiqet të na argetoje, sepse jeta jone është monotone, gjë që lidhet edhe me menyrën se si organizohet puna në një kohë dhe sistem si ky ku jetojmë.
Kështuqë, media e trajton gjithcka si spektakël: politikën, sëmundjen, ekonominë dhe problemet sociale. Të gjitha trajtohen në një mënyrë të shpejtë dhe sipërfaqesore, aq sa për të tërhequr vëmendjen, pa arritur të shpjegojnë asgjë me themel.
Rezultati pastaj është që në një pandemi si kjo, merr vëmendje qëndrore një person si ky, i cili është e paqartë cfarë formimi ka, përvec aftësisë për të lexuar në google.
Avantazhet e tij janë që thotë gjëra që të shokojnë, jep shpjegime të thjeshta për fenomene të komplikuara, dhe i lidh gjerat me fantazi duke u bërë interesant.
Ndërsa mjekët dhe shkencetarët marrin rol sekondar. Ata vërtet kurojnë përditë pacientët në spital, apo studiojnë gjithë ditën viruset në laborator, por ata janë të mërzitshëm me informacionin që japin, dhe shpesh nuk i shpjegojnë dot fenomenet që janë ende duke u studiuar.
Problemi me këtë “shoqëri spektakli” nuk është kur ky thotë se zv/presidentja e Amerikës do të vdesë, që bota qeveriset nga zhapikët apo qe ne do mbetemi pa internet. Deri ne ate pikë, fantazitë e tij nuk i bëjnë dëm njeriu.
Problemi është kur ai futet në fushën shëndetësore dhe merr guximin tu thote të sëmurëve me kancer “mos bëni kimioterapi”, apo të tjerëve “mos bëni vaksina”. Atëherë ai kthehet në një rrezik për shëndetin publik.
Në këtë pikë, media e rrit audiencen e vet në kurriz të shëndetit tonë, sepse shumë njerëz vulnerabël psikologjikisht, i besojnë këto hajvanllëqe, dhe sillen në bazë të tyre.
Psh një njeri që nuk beson se virusi ekziston, nuk përdor maskë, duke e përhapur virusin për vete dhe për të tjerët. Një njeri që nuk beson tek vaksina nuk vaksinohet, duke ia zgjatur jeten kësaj pandemie, dhe duke rikthyer sëmundje që ishin zhdukur prej shekujsh. Gjithashtu një njeri që nuk beson tek kimioterapia nuk merr trajnimin e nevojshëm duke rrezikuar jetën.
Unë kam njohur njerëz qe kane paguar nga 300Euro për tu shëruar nga Covid-19 tek “mjeket popullor”, të cilët janë thjeshtë sharlatane të promovuar nëpër emisione shumë të ndjekura televizive.
Duke e kuptuar presionin e gazetarëve për audiencë, mendoj që në një situate si kjo që po kalojmë, ku perditë po humbasim njerëz që i duam, është e turpshme dhe e papranueshme që media dhe gazetarët të jenë indiferentë për pasojat e punës se tyre.
Një gjë e tille nuk duhet te lejohet te vazhdojë kështu as edhe një sekondë më tepër, dhe secili prej nesh ka një armë të fuqishme në dorë: telekomandën…