Krijimi i njësive të përbashkëta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, krijimi i strukturave operative, trajnimi i efektivëve dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale kanë qenë disa nga pikat e diskutimit mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe zv.drejtorit të Përgjithshëm të Italisë Fulvio Della Rocca.
Në takimin mes tyre, Della Rocca pasi e ka cilësuar si të frytshëm bashkëpunimin mes dy policive, ka kërkuar forcimin e tij nëpërmjet koordinimit. Kurse Didi ka siguruar krijimin e njësive operative të përbashkëta kundër Terrorizmit dhe Krimit të organizuar.
Konsiderata mbi punën e kryer janë shprehur nga Della Rocca dhe Didi në zhvillimin e operacioneve të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar, në kapjen dhe ekstradimin e të kërkuarve nga organet e drejtësisë së vendeve tona si dhe në monitorimet nga ajri për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Të pranishëm në takimin mes përfaqësuesve të dy policive ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Masiomo Gaiani, si dhe shefi i Misionit “PAMECA IV’’ Giorgio Butini. Kjo vizitë erdhi pas vizitës në Shqipëri të ministrit të Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano.