SHBA-ja është tronditur sërish mëngjesin e sotëm në Oklahoma, ku një person i armatosur ka vrarë 3 qytetarë amerikanë në një parkim.
Sipas një burimi amerikan, atentatori ka qëlluar 9 herë duke lënë të vdekur 3 persona dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armën e krimit teksa qytetarët i janë turrur për ta ndaluar.
Departamenti i policisë së Duncanit raporton se dy prej viktimave janë gjendur brenda një makine, ndërsa një tjetër është gjetur i vdekur jashtë automjetit (3 persona të bardhë, 2 meshkuj dhe një femër).
Policia ka rrethuar zonën dhe po heton në lidhje me këtë tragjedi.
Vitet e fundit, shumë qytete amerikane janë goditur nga atentatet në masë duke regjistruar një numër të madh viktimash. Vetëm ditën e djeshme vdiqën 4 persona në Florida nga një rast i ngjashëm.
Pavarësisht se një pjesë e madhe e opinionit publik ka kërkuar që të ndryshohet Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane, presidenti Trump ka refuzuar t'u përgjigjet pozitivisht kërkesave.