Një tërmet i fortë ka shkundur Turqinë dhe Sirinë orët e para të mëngjesit të sotëm.
Tërmeti i fuqishëm ka goditur Gaziantepin në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë dhjetëra persona në Turqi dhe Siri.
Sipas raportit të fundit të autoriteteve turke, numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 79 në rajonet e Kahramanmaras, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Antiyaman dhe Malatya, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 440 në të njëjtat rajone. Ndërsa në Siri numri i të vdekurve ka shkuar mbi 230.
Pas tërmetit 7.7 Rihter janë regjistruar 42 pasgoditje, ku më i madhi është i rendit 6.6 Rihter. Nga tërmeti shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit kanë nisur kërkimet për personat e mbijetuar nën rrënoja.
Tërmeti 7.7 ballë që goditi Turqinë jugore mëngjesin e së hënës është më i forti që ka përjetuar vendi në më shumë se 100 vite. Tërmeti që goditi Turqinë lindore në vitin 1939 rezultoi me më shumë se 30,000 të vdekur.