E hëna është shpallur ditë zie në Maqedoninë e Veriut. Qeveria maqedonase në një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur që në 13 shkurt flamujt të ulen në gjysmështizë në nderim të viktimave të tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri.
Qeveria ka njoftuar se vendimi është marrë në shenjë solidarizimi dhe nderimi për numrin e lartë të viktimave të shkaktuar nga tërmeti tragjik që goditi dy vendet më 6 shkurt.
Deri më tani numri i viktimave ka shkuar mbi 33 mijë, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të shpëtuar njerëz nën rrënoja.