Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Korçës, Gjergji Gjata është tërhequr nga gara për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai ishte kandidati i Partisë Demokratike të përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj. Mësohet se bashkë me të janë tërhequr nga gara edhe 40 kandidatët për Këshillin Bashkiak të propozuar nga PD.
Gjata bën të ditur se u tërhoq nga kandidimi për shkak të mosrespektimit të procedurave vendimarrëse në organet drejtuese të PD-së.
“Ju informojmë se unë si kandidati për Kryetar i Bashkisë Korçëë dhe 40 kandidatë për Këshillin Bashkiak, të partisë politike PDSh, tërhiqemi nga gara elektorale (në mënyrë të parevokueshme) për Zgjedhjet Vendore 2023. Për mungesë të proçedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cënuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale.
Urojmë më të mirën për Korçën dhe suksese për kandidatët më të mirë në të gjithë vendin.Proçedurën zyrtare do e kryejmë sipas rregullave që parashikon ligji, pranë KQZ”, njofton Gjata.