Alkond Bengasi, i konsideruar nga Prokuroria si personi i penduar dhe që do të mund të bashkëpunonte me drejtësinë, duket se ëhstë tërhequr nga dëshmitë e tij, raporton Abcnews.
Ai ka dhënë një tjetër deklarim në SPAK, aty ku po zhvillohet procesi ndaj 8 të akuzuarve për grabitjen. Në Gjykatë, Bengasi ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje, ndërsa ka pretenduar se hetuesit kanë ushtruar presion fizik dhe psikologjik ndaj tij për të firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me drejtësinë.
Tashmë ai ka hedhur poshtë të gjitha deklarimet, që nga parapërgatitja e grabitjes së Rinasit, takimet me personat e përfshirë dhe shumë detaje të tjera. Mirëpo organi i akuzës i kërkoi gjykatës që të njohë dëshminë e tij të dhënë gjatë hetimeve paraprake.
Alkond Bengasi ka qenë punonjës në varrezën e makinave ku dyshohet të jetë modifikuar furgoni “Chervolet” që u përdor në grabitjen e rreth 4.6 milionë eurove.
Për këtë ngjarje janë marrë të pandehur edhe Klement e Eldi Çala, Oltion Veseli, Elton Pikli, Saimir Çela, Renaldo Sula dhe Talo Çela që është endë në kërkim. Nga hetimet ka rezultuar se kreu i grupit kriminal ishte Admir Murati, që mbeti i vrarë ditën e grabitjes gjatë përplasjes me armë me policinë.