Gjithë qendra e qytetit të Tepelenës e sidomos pjesa rreth kalasë së Ali Pashës, po kthehet në një vend atraktiv turistik. Vetë kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi është duke ndjekur punimet që kanë nisur prej më shumë se dy muajsh.
Kështjella rreth kalasë së Ali Pashait, një vit më parë, ishte totalisht e zënë nga kioskat që kishin mbirë si kërpudhat, por edhe plehërat. Sot një tjetër panoramë paraqitet për qytetarët e Tepelenës, por edhe ata që kalojnë në këtë aks rrugor nacional për të shkuar më në jug të vendit ose jashtë tij.
Gjithçka ka ndodhur në një kohë të shpejtë, ndërsa punimet po vijojnë në ritme të shpejta. Duket se kreu i Bashkisë Tërmet Peçi është shumë i angazhuar për të përfunduar punimet e këtij projekti përpara zgjedhjeve lokale, për t’u paraqitur me një tjetër projekt ambicioz për rikandidimin e tij në këtë detyrë, atë të kthimit në identitet të Kalasë së Ali Pashait në Tepelenë, një tjetër perlë e veprave më të rëndësishme në vend.