Një vajzë e re është vënë në prangat e policisë në Pakistan pasi ka helmuar për vdekje 15 persona të familjes së burrit.
21-vjeçarja Aasia Bibi ishte martuar me mblesëri këtë shtator me 25-vjeçarin Amjad Akram, 25. Ajo tentoi të arratisej nga shtëpia e burrit por e kapën dhe e kthyen sërish.
Disa ditë më parë ajo vendosi të vrasë burrin me të cilin e kishin martuar pa dëshirën e saj, duke i hedhur helm në qumësht. Por 25-vjeçari refuzoi ta pinte qumështin e helmuar dhe vjehrra e nuses, pa e ditur, e përdori qumështin në një gatim që ia shërbeu më pas 27 personave të familjes.
15 prej tyre humbën jetën pas konsumimit të gatimit dhe 12 të tjerë janë në gjendje të rëndë për jetën.
Bibi fillimisht tha se një hardhucë kishte rënë në qumësht dhe e kishte helmuar, por gjatë marrjes në pyetje në polici pranoi se ishte ajo fajtorja.
Pakistani ka numrin më të lartë në botë të martesave pa dëshirë.