Një 25-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga Policia në Portin e Durrësit, pasi tentoi të ndihmojë 2 afganë të dalin nga vendi ynë me dokumente false.
Shtetasi me inicialet R. A., akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit A. B. dhe B. B., banues në Kabul, të akuzuar për veprën penale “falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
“Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin R. A., 25 vjeç, banues në Suedi, pasi në PKK Port Durrës, ka tentuar të ndihmojë që të kalojnë kufirin në mënyrë të kundërligjshme, me dokumente të dyshuara të falsifikuara, shtetasit A. B. dhe B. B., banues në Kabul, të cilët u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave'”, thuhet në njoftimin e policisë.