Rusia ka thirrur ambasadorin holandez në Moskë, Gilles Beschoor Plug, për atë që thotë se ishte një përpjekje e shërbimeve të huaja të inteligjencës për të rekrutuar atasheun ushtarak të Ambasadës Ruse në Hagë.
Incidenti i pretenduar nga Rusia ka ndodhur në fillim të këtij muaji, sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse këtë të hënë, 31 tetor.
“Atij (ambasadorit holandez) iu dha një njoftim për protestë të fortë në lidhje me qasjen e rekrutimit të atasheut ushtarak të Ambasadës Ruse në Hagë më 20 tetor të këtij viti nga një përfaqësues i shërbimeve të inteligjencës britanike. Gjatë bisedës u theksua se veprime të tilla provokuese janë të papranueshme”, thuhet në njoftim.
Ministria ruse tha se “veprime të tilla jomiqësore” çojnë në destabilizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ajo pretendoi se ka pasur disa provokime të tilla të kryera nga shërbimet e huaja të inteligjencës në vitet e fundit në Holandë.
Referuar deklaratës, thuhet se autoritetet holandeze dhe agjencitë e zbatimit të ligjit “jo vetëm që nuk ndalojnë veprime të tilla të paligjshme, por edhe marrin pjesë vetë në to”, duke u përpjekur të spiunojnë diplomatët rusë ose t’i rekrutojnë ata.