
Taulant Balla si në çdo ngjarje të ndodhur nga kohë që u emërua Ministër i Brendshëm edhe këtë herë ka dalë me një reagim sa i takon një tentative për grabitje të ndodhur mbrëmë në fshatin Prush të Tiranës dhe një grabitje të ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në sheshin “Skënderbej”.
Policia ende nuk ka arritur që të zbulojë identitetin e 3 autorëve të armatosur që tentuan të grabisin me armë zjarri banesën në Prush të Tiranës, ndërsa për ratin në sheshin “Skënderbej” u kap vetëm një nga autorët.
Balla tha se policia ka përparuar drejt identifikimit të personave të përfshirë në tentativën e grabitjes në fshatin Prush. Gjithashtu njoftoi se policia do të rrisë vigjilencën gjatë festave të fundvitit për të parandaluar aktivitetet kriminale.
“Policia e Shtetit do të rrisë vigjilencën gjatë festave të fundvitit, ndërsa elementë të caktuar kriminalë tentojnë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të vitit për veprimtaritë e tyre kriminale kundër pronës dhe personit. Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e një grabitje në Tiranë dhe ka ndërhyrë në kohë për të parandaluar një tjetër në fshatin Prush. Gjatë natës së mbrëmshme policia dhe prokuroria kanë avancuar drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të përfshirë në këtë ngjarje”- shprehet Balla në reagimin e tij.
Nga raportimet deri tani për grabitjen në fshatin Prush dihet se autorët kanë qenë të maskuar me kapuç duke mbuluar fytyrën e tyre, ç’ka e ka bërë të vështirë identifikimin e tyre nga çifti i të moshuarve që ishin brenda në banesë gjatë tentativës së grabitjes. Madje njëri nga autorët ka qenë i veshur me jelek policie.
Autorët nuk kanë arritur që të marrin shuma parash apo sende me vlerë.
Policia ka sekuestruar kamerat e banesës për të ndihmuar hetuesit në zbulimin e identitetit të autorëve.
Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar familjarët në polici ku kanë dhënë dëshminë e tyre. Ndërkohë ka dyshime nga policia që autorët mund të kishin informacion në lidhje me banesën dhe faktin që brenda saj në orën e tentativës së grabitjes ishin brenda dy të moshuarit.