Situata në veri të Kosovës është tensionuar përsëri mesditën e kësaj premteje, pasi protestuesit serbë që kanë qenë duke qëndruar në ambientet e jashtme të Komunës së Leposaviqit kanë qëlluar me shok-bomba e kanë dhunuar ekipet e gazetarëve.
Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini dhe Radio Televizioni i Kosovës, gazetarët dhe stafet mbështetëse janë ndjekur nga serbët dhe dira prej tyre edhe janë dhunuar.
Ekipet e mediave sulmohen fillimisht me shok-bomba e më pas ndiqen me vrap. Njëri prej kameramanëve pengohet nga serbët, nga mediat në Kosovë bëhet me dije se është i RTK-së, dhe qëllohet me grushte e shkelma.
Stacionin policor në Leposaviq është në gjendje gatishmërie. Ndërkohë, bëhet e ditur se është sulmuar vetura e ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili ka qëndruar sot në Leposaviq, ku edhe është takuar me kryetrarin e kësaj Komune, Lulzim Hetemi.
Edhe përgjatë mbrëmjes janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut. Ky lajm u bë me dije nga vetë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i cili tha se me shumë mundësi bëhej fjalë për shok-bomba.