I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, u shpreh se janë të shqetësuar për sulmin e Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
Në fjalën e tij, Escobar i bëri thirrje Serbisë që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.
“Në takimin tonë patëm një bisedë të sinqertë lidhur edhe gjendjen e sigurisë dhe jemi tepër të shqetësuar për ngjarjen e 24 shtatorit."
Escobar i bëri ftesë Serbisë që gjithë ata që janë përgjegjës të dalin prej drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm.
Gjithashtu ai u ndal dhe te vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, duke e konsideruar si sfidë. Mes tjerash theksoi se palët duhet të ecin përpara sa i përket dialogut si dhe marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet.
“Duhet të gjejmë mënyra se si mund të ecim përpara në dialog që përfshin Asociacionin por jo vetëm atë, edhe siç përmendi presidentja dy palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë, duke pasur një marrëveshje historike por edhe ne e ftojmë Serbinë që të vazhdojë të zbatojë. Marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet.
Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel të martën, e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët e Kosovës të martën udhëtuan dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, për t’i tërhequr mjetet që ata pranojnë nga Qeveria e Serbisë
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
Ndërkaq sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh se ky proces ndodhet në një moment kritik. Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e një turneu tetëditor në vendet si Belgjika, Austria dhe Mali i Zi, të cilin e nisi më 10 mars.