Nga Anta Muçaku
Shtator 2013. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh për herë të parë në zyrat e SHQUP-it, me kryetar të ri Lulzim Bashën. Në fundin e tryezës së madhe me 50 deputetë dhe ish-ministra hijerëndë të Berishës, ishte një i ri që dukej sikur sapo kishte dalë nga banka e universitetit. Ishte Gazment Bardhi. Ish-jurist në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, iu rekomandua Bashës si këshilltar ligjor i grupit parlamentar.
27 vjeçari ra në sy shpejt. Opozita nisi disa beteja të forta, siç ishin dekriminalizimi dhe oponenca për reformën në drejtësi. Gazment Bardhi nisi të spikatej nga media për mendimet e tij profesionale dhe menjëherë u kthye në një personazh të kërkuar ekrani. Por më 18 maj 2017, jeta e tij ndryshoi me 180 gradë. Lulzim Basha e telefonoi natën vonë, pasi kishte arritur “deal”-in me Edi Ramën, dhe e propozoi, ministër Drejtësie. Bardhi nuk e mendoi dy herë. Pranoi menjëherë. Ministër vetëm 4 muaj, Bardhi e shpërbleu besimin. Arriti të dokumentojë shkelje në zgjedhje dhe madje një skandal tenderi me byzylykët e shërbimit të provës, duke i kursyer buxhetit të shtetit miliona euro. Tashmë ishte koha e tij.
Nuk zgjati shumë dhe ai u votëbesua si numri 2 i demokratëve, Sekretar i Përgjithshëm. Iu desh të merrej fort me protestat e mëdha, që çuan në zgjedhje fatale si lënia e mandateve, apo bojkoti i zgjedhjeve lokale. Në zgjedhjet e 2021-shit ai drejtoi listën e PD në Elbasan, dyfishoi rezultatin përballë Taulant Ballës dhe iu desh të përballet edhe me kërcitjen e armëve, ku një person humbi jetën. Ministër hije i Brendshëm, siç shihej Gazment Bardhi u ul në parlament si deputet i opozitës. Por telashet politike nuk mbaruan për Bardhin. Basha përjashtoi Berishën dhe Bardhi ishte ai që mbajti peshën më të madhe të betejës si i besuari i Bashës.
Në fund, çdo llogari doli fatale. PD u shkërrmoq në copa dhe siç tregon vetë Bardhi, ky ishte momenti më i vështirë i jetës së tij politike. Por Gazment Bardhi është i kalitur tanimë në politikë me beteja të forta. Djalë i një familje të thjeshtë dhe të përdjekur në Kavajë, Gazi, siç i thërrasin të gjithë, shkëlqeu tek Juridiku. Për të, çdo hap përpara ishte një betejë. Por sot, ai i ka hyrë një beteje të re.
Nga salla e parlamentit, me 15 deputetë në krah dhe kreu i grupit parlamentar të PD, flet me guxim kundër qeverisë e madje përmend edhe oligarkët me emër e mbiemër. Por nuk ka përballë vetëm Ramën, por edhe dy elefantët e PD që kanë shkelur këdo që u ka dalë para në parti, Berishën dhe Bashën. Kundër të dyve, Bardhi ka hedhur zaret. Do ia dalë dot?! Ne kërkuam një bisedë pa doreza me të. Dhe ai, si rrallëkush nga politikanët e rëndësishëm, u shkëput nga qëndrimi në Livadhë, ku po pushon disa ditë me familjen, (nënën, motrat e nipërit e mbesat e veta), për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve.
Për më shumë, lexoni revistën Newsbomb në versionin print, të cilën mund ta blini në çdo pikë shitje, në gjithë Shqipërinë.