
Një atentat mafioz ka trondit mbrëmjen e djeshme Milotin, ku u qëllua me breshëri armësh në drejt të një mjeti të blinduar, me të cilin udhëtonin Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi. Fatkeqësisht, ky i fundit nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë te Trauma. Aty ndodhet i plagosur dhe Brahimi.
Në lidhje me këtë ngjarje ka shkruar dhe gazetarja Dorjana Bezat, e cila ka marrë dëshmi nga disa banorët të cilët panë ngjarjen e rëndë.
Ajo thotë se të shtënat me armë që i morën jetën Klisman Preçit u dëgjuan deri në katund, madje njëri ka treguar sesi e mori në krahë viktimën dhe e dërgoi në spital.
“Milot, 23 korrik 2022. Gati mesditë. Rrugë të zbrazura. Çdo makinë e huaj ndiqej nga sy kureshtarë të njerëzve të ulur në kafet buzë rrugës. Më tej, shumë makina të parkuara e njerëz me të zeza, merrnin pjesë në mortin e një 28-vjeçari të vrarë në një atentat pak orë më parë, në derë të shtëpisë.
Shkoj në kafenenë pranë vendit të ngjarjes dhe u flas disa të rinjve që më kishin ndjekur me sy gjatë gjithë minutave që isha në Milot. I përshëndes, por nuk munda të shtoj asnjë fjalë tjetër. “Nuk jetoj këtu, nuk di asgjë!”, më tha njëri prej tyre, megjithse unë nuk e kisha pyetur. “Aman mos më hap telashe”, më tha tjetri. Më tej përshëndes një burrë të vjetër. “A don me na shti n’gjak”, tha i vjetri.
Çova fjalë dhe të afërmit e Klismanit më pritën. Siç e do zakoni ata prisnin ngushëllime. Ishin ulur rresht, të rinj e të vjetër. Disa prej tyre ishin dëshmitarë okularë të ngjarjes mafioze. E kishin parë gjithçka nga trotuari përballë.
“Zunë rrugën me makinë, zbritën e qëlluan pa rreshtur. Deri në katund u dëgjuan të shtënat, vetëm policia nuk i dëgjoi. Erdhi nga Laçi për 30 minuta, rrugë të cilën ne e bëjmë pa asnjë emergjencë për 7-8 minuta. Dhe kur erdhi, rrinte në hyrje të Milotit dhe pyeste a mbaroi e gjitha”, më tha njëri prej tyre.
“Sa mbaruan të shtënat u afrova, e mora në krah dhe e çova në spital”, me tha më i riu.
“Djali u vra nga dëshira për të hipur në makina të shtenjta”, tha një burrë i moshuar që sytë i ishin bërë gjak nga lotët. “Ishtë në qendër për të pirë kafe, i tha komshiu hajde dhe shkoi hipi në makinë për të ardhur në shtëpi, se e kishte qef atë makinë. Ky ishte krimi I tij”
E pyes për atentatin e dy muajve më parë dhe shtoj: “po policia?”
-“Policia ka hapur krahun dhe i lë të vriten mes tyre kriminelët. Nuk e vret mendjen njeri se mund të na vrasin dhe ne që jemi në punën tonë. Mund të vritemi vetëm se jemi në vendin dhe kohën e gabuar. Në Milot sjellin vetëm dy policë.” PS. Në foto ish-stacioni i policisë në Milot” shkruan Bezat