
Fatjon Lika, një 33 vjeçar nga fshati Mali i Bardhë i Bashkisë Kurbin, ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Shkak është bërë një konflikt për motive banale me shtetasin Admir Shqypi, i cili ka degjeneruar më pas deri në përdorimin e armës.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, sapo salla operative është sinjalizuar për të shtëna me armë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dhe autori Admir Shqypi rezulton se është larguar nga vendngjarja. Policia është duke krehur zonën për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e të riut, i cili është i armatosur.
Ndërkohë, i plagosuri Fatjon Lika është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore pas plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, një lokal në fshatin Mali i Bardhë i Bashkisë Kurbin dhe ka pyetur personat e tjerë që ndodheshin aty, për rrethanat dhe dinamikën e sherrit që çoi deri në përdorimin e armës.
Kurbin/Informacion paraprak
Në Malbardhë në një lokal dyshohet se si pasojë e një konflikti të nisur më parë shtetasi A. Sh, ka qëlluar një herë me armë zjarri pistoletë duke plagosur shtetasin F. L, me të cilin kishte konflikt.
Shtetasi F. L, është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, i cili paraprakisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë Kurbin, të DVP Lezhë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit dhe të dy shtetasve të tjerë E. L dhe P. L., të përfshirë në konflikt. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.