Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Të shëtisën botën në 12 orë

Shkruar nga Newsbomb
Të shëtisën botën në 12 orë

Nga Edmond Laçi

Ndodh shumë rrallë, edhe pse mund të duket pothuajse e pamundur, që brenda një dite të vetme, të shijosh nga moda te dizajni, stili i jetesës, turizmi dhe kultura, ushqimi, pijet, deri te ritmet dhe muzika e dhjetëra vendeve nga të gjitha kontinentet. Është njësoj sikur të kesh prerë një biletë për të shëtitur gjithë botën në vetëm 12 orë. Por nëse je në Kinë, edhe këtë “ëndërr”, mund ta realizosh. Për tre ditë me radhë në një nga parqet e mrekullueshme të Pekinit, u zhvillua “The Belt&Road Food Fest”, një shans i rrallë edhe për mua për të shijuar një aventurë kulinare të jashtëzakonshme. 

“Eskursionin” gastronomik nëpër dhjetëra vendet që përshkohen nga inisiativa “Një brez, një rrugë”, mund ta fillosh ku të duash. Nëse ke mbërritur që herët në mëngjes, është mirë të provosh një ekspres dhe briosh italian si në Milano. Por nëse të ka marrë malli për pak aromë Stambolli, mund të zgjedhësh edhe xhezvenë. Ose një filxhan çaji nga krijuesit e tij, kinezët, apo nga srilankezët, që pavarësisht halleve të fundit, nuk lenë asnjë rast pa u krenuar me simbolin e identitetit të tyre kombëtar, Ceylon tea.

Por që mos t’u shkojë goja lëng, nuk kam ndërmend që t’u përmend të gjitha delikatesat e botës, të cilat kam fatin t’i provoj një nga e një. Proshutë, djathra dhe akullore artizanale nga Italia, vaj ulliri nga Greqia, verë nga Gjeorgjia, birrë nga Belgjika, sangria nga Spanja, shpatulla derri me erëza dhe simite kineze të gatuara me avull, ndërsa në fund, pak bakllava turke...deri sa mbaron ky udhëtim rreth e qark botës me shumë shije, madje dhe me shumë muzikë. Sepse që prej orës 11 të mëngjesit deri në mesnatë, Dj. të famshëm nga i gjithë globi përformojnë pa pushim xhaz, soul, blues, r&b, reggae, house, apo hip-hop. Ndërsa muzikantë nga Venezuela, Kuba dhe Kolumbia, me ritme latine dhe salsa, ta prishin përfundimisht “busullën” dhe harruar që je në zemër të Azisë.

I quajtur si "Projekti i Shekullit" nga autoritetet kineze, “Një brez, një rrugë” mbulon rreth 40 për qind të PBB-së botërore. Deri më tani, gjithsej 172 vende dhe organizata ndërkombëtare nga Azia, Afrika, Lindja e Mesme dhe Evropa kanë nënshkruar mbi 200 marrëveshje. Mjafton të përmendet fakti se që nga 2013-ta deri vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” arriti afro 11 trilionë dollarë, ndërsa investimet e drejtpërdrejta kineze në këto vende i kaluan 161.3 miliardë dollarët. Vetëm në Kinë janë krijuar 32 mijë ndërmarrje nga vendet pjesëmarrëse në nismë, me një investim të përgjithshëm 71.2 miliardë dollarë amerikanë. 

Sa i përket Shqipërisë, edhe ajo ka nënshkruar me Kinën një memorandum bashkëpunimi në forumin ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, të zhvilluar në 2017-ën në Pekin dhe ku morën pjesë 20 presidentë e 11 kryeministra nga e gjithë bota. Ndërkohë dy vendet kanë nënshkruar edhe një sërë dokumentash të tjera në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit “16+1”, që bashkon Kinën me vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Vitin e kaluar, pavarësisht pandemisë, tregtia ndërmjet dy vendeve u rrit me 26 për qind, ndërsa në shtatë muajt e parë të 2022-it, eksportet e Shqipërisë në Kinë u shtuan 76 për qind. Në vitin 2018, Shqipërinë e kishin vizituar plot 17 mijë turistë kinezë, me një rritje vjetore prej 60 për qind, duke treguar potenciale të jashtëzakonshme në fushën e turizmit. (CRI)

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu