Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kanë arritur që vetëm në një vendndodhje në Serbi të gjurmojnë në lidhje me personat e zhdukur. Sipas Hotit, shteti serb e ka mbyllur vendin ku ata dyshojnë se ka mbetje mortore.
Në Kosovë, është shprehur Hoti, nuk ka mbetur vend pa kërkuar për dyshime për mbetje mortore nga lufta e fundit. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se dyshime ata kanë për disa vendndodhje në Serbi, por nuk po i lejon shteti serb.
“Nuk ka mbete vend pa u hulumtu dhe gërmuar në territorin e Kosovës. 22 dorëzime i kemi arrit me i bërë familjeve të personave të zhdukur. Kemi krijuar një numër pa pagesë për qytetarët. Si sigurim të informacioneve bashkëpunojmë më ndërkombëtarët, me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë.
Ne territorin e Serbisë kemi arrit vetëm në një lokacion. Serbia e ka mbyll këtë lokacion, dhe kemi dyshime që ai lokacion ka mbetje mortore. Ne kemi kërkuar që të qasemi edhe në rajonin e Rashkës edhe Novi Sad. Më shumë se një autobus është dërguar dhe janë vrarë, jemi të bindur se kemi edhe një varrezë të madhe aty”, është shprehur Andin Hoti.