Hapësire reklamuese

Politikë

Të hënën nis mësimi, Basha apel institucioneve: Masat e marra janë gjysmake! Nisni testimin masiv të mësuesve, rrisni stafin mësimor

Shkruar nga Newsbomb

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ka bërë apel institucioneve përkatëse që të marrin masa konkrete me rifillim e mësimit në shkolla.

Basha thotë se masat e marra deri më tani janë gjysmake dhe se është e domosdoshme që të bëhet testim masiv te mësuesit si dhe të rritet stafi mësimor.

Përpos kësaj, duhet që edhe të shpërblehen, pasi nuk është e lehtë që të operohet me 3-4 turne, si pasojë e situatës së covid-19.

Apeli i Bashës

Shpreh dhe njëherë shqetësimin për masat gjysmake të marra nga qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor. Ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve duhet të jetë parësore në situatën kur numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë.

Për këtë, edhe njëherë i kërkoj qeverisë të nisë urgjentisht testimin masiv të mësuesve para fillimit të vitit të ri shkollor. Identifikimi dhe parandalimi i rasteve me COVID-19 nga stafi pedagogjik është tejet i rëndësishëm për të parandaluar zinxhirin e infektimit. Veç kësaj, procesi mësimor me disa turne e bën të domosdoshme rritjen e numrit të mësuesve në dispozicion të zhvillimit normal të shkollës.

Në kushtet aktuale të zhvillimit të mësimit, çdo mësues do të ketë më shumë ngarkesë për shkak të ndarjes së klasave në disa turne. Ndaj, veç kujdesit për shëndetin, qeveria duhet të marrë masa edhe për rritje të shpërblimit për stafin mësimor. Vetëm vënia në zbatim e këtyre masave do të mund të sigurojë shëndetin e mësuesve dhe nxënësve, si dhe zhvillimin pa ndërprerje të shkollës.

Është koha të merren masa urgjente dhe konkrete për të mbrojtur jetën e nxënësve, mësuesve dhe të gjithë shqiptarëve. Rifillimi i shkollës është proces jetik për fëmijët dhe familjet shqiptare, dhe ky proces ka nevojë për kujdes dhe impenjim serioz nga strukturat shtetërore.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll