Hapësire reklamuese

Politikë

Të gjitha paratë në duart e Blendi Gonxhes! Fuqia e super ministrisë që i dha Rama

Shkruar nga Newsbomb
Të gjitha paratë në duart e Blendi Gonxhes! Fuqia e super

Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi të beftë në nisje të kësaj jave, bëri me dije se kishte vendosur të krijonte një ministri përgjegjëse për tre sektorë të ndryshëm, në krye të së cilës i propozoi presidentit Bajram Begaj që të emërohet Blendi Gonxhe.

Një nga drejtorët e spikatur ndër vite në qeverinë socialiste dhe ndër njerëzit e besuar të Edi Ramës që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, do të jetë në krye të një super ministrie që për nga sektorët që mbulon, është unikale në botë.

Blendi Gonxhes i duhet vetëm votëbesimi në Kuvend në seancën e datës 15 Janar dhe bëhet zyrtarisht një nga anëtarët më të rëndësishëm të kabinetit.

Ministria që ai do të drejtojë do të jetë përgjegjëse për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin. Sektori i parë u shkëput nga portofoli ministror i Ervin Metes, kurse i dyti shkriu dikasterin e drejtuar nga Elva Margariti prej vitit 2019. Inovacioni është ashtu si vetë kjo ministri, një risi.

Praktikisht, Blendi Gonxhe do të ketë në dorë të gjitha paratë e shtetit shqiptar, që nga Tatimet, Doganat, Pastrimi i Parave, Buxheti, Investimet Publike, Lojërat e fatit, Pasuritë e Sekuestruara dhe Konfiskuara, Prokurimet dhe Koncesionet.

Sektorë aq shumë të debatuar për organizimin dhe qarkullimin e miliarda lekëve, ku nuk kanë munguar abuzimet dhe rrjedhimisht "lupa" e organeve të drejtësisë, kryesisht për koncesionet shumëmiliardëshe që janë kthyer në një vatër korrupsioni dhe vjedhje të taksave të shqiptarëve.

Këto institucione kanë qenë nën varësi edhe të emrave të tjerë që Edi Rama u ka besuar me vite, por për një arsye ose një tjetër ata e kanë thyer këtë besim dhe tashmë është radha e Gonxhes që të tregojë veten.

Ndërkohë, me krijimin e sektorit të ri të Inovacionit, Blendi Gonxhe pritet të marrë në dorë dhe kontrollin e plotë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ky institucion drejtohet nga Mirlinda Karçanaj dhe ka praktikisht në online të gjithë databazën e të dhënave të shtetit.

Me kalimin e këtij institucioni në varësi të Gonxhes, kryeministri ia beson të dhënat personale, që përfshin pronat, pasuritë, shëndetin dhe gjithçka tjetër një ndër bashkëpunëtorëve të tij më të hershëm, duke centralizuar në super ministrinë e re bërthamën e pushtetit.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për të dhëna e shqiptarëve, AKSHI është një ndër institucionet kryesore që prokuron dhjetëra tendera për shërbime e servera, për institucione të ndryshme, me vlerë miliarda lekë.

Përfshirja e Ministrisë Kulturës në këtë dikaster të ri mund të duket e pakuptimtë, por ajo është përbën elementin e tretë që plotëson atë që mund ta quajmë super ministria e Blendi Gonxhes. Disa e kanë quajtur dhe Ministria e Koncesioneve.

Në fakt nuk është se është një emër dhe jo aq i goditur. Përfshirja e Kulturës si "veshka mes dhjamit" mes dy sektorëve të fuqishëm që kanë në dorë të gjitha paratë dhe të dhënat për pronat e pasuritë e shqiptarëve, do bëjë që as dikasteri i drejtuar dikur nga Elva Margariti të mos mbetet pas.

Skepticizmi dhe frika e aktorëve të ndryshëm publikë dhe politikë qëndron në faktin se përfshirja e Kulturës në të ashtuquajturën Ministrinë e Koncesioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në pronat publike dhe objektet e trashëgimisë kulturore, duke devijuar nga thelbi dhe misioni parësor që kanë.

Megjithatë, puna e Blendi Gonxhes në krye të kësaj super ministrie pritet të tregojë qartë synimin e qeverisë socialiste, nëse bëhet fjalë për një qasje të integruar për sektorët e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës apo vendosjen e bashkëpunëtorit të Edi Ramës në postin më të rëndësishëm e të fuqishëm, për të balancuar pushtetin e emrave të caktuar në kabinet dhe Partinë Socialiste.

//NEWSBOMB.AL

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese