Hapësire reklamuese

Politikë

Të gjitha ndryshimet që përfliten në Qeveri, Majko i merr ministrinë Tahirit, largohen Beqaj, Manjani dhe Haxhinasto

Shkruar nga Newsbomb

Prej kohësh përflitet për ndryshime në qeveri dhe muaji shtator shihet si më i mundshmi për to. Megjithatë të pakta janë mundësitë që kryeministri Edi Rama të bëj ndonjë lëvizje përpara përfundimit të zgjedhjeve në Dibër.

Newsbomb.al raporton se ministritë kryesore që mund të preken nga këto ndryshime janë Ministria e Brendshme, ajo e Shëndetësisë, Drejtëisë dhe Transportet.  

Pandeli Majko në vend të Saimir Tahirit

Ish-kryeministri Pandeli Majko përflitet gjithnjë e më shumë si zëvendësues i Saimi Tahirit në Ministrinë e Brendshme. Kjo ministri ka qenë përgjatë këtyre tre viteve në qendër të sulmeve nga opozita për çështjen e kanabisit, çka e detyron Ramën që të zgjedhë në krye të saj një figurë pothuajse të pakontestueshme siç është Majko.

Emërimi i Pandeli Majkos në krye të rendit në Shqipëri i heq atij mundësinë për të marrë presidencën. Rama nuk preferon një figurë të pavarur në krye të shtetit, ndaj në këtë mënyrë eleminon presionin që mund t’i bëhej brenda partisë për emrin e Majkos si president.

As Tahiri nuk do të mbesë duarbosh, pasi juristi i PS-së shihet si zëvendësues i Ylli Manjanit te Drejtësia.

LSI: Ikin Manjani dhe Haxhinasto, vijnë Vasili dhe Dervishi

Ylli Manjni mund të mos jetë më ministër në këtë qeveri dhe i njejti fat duket se e pret edhe ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinaston. Janë pikërisht këta dy ministra që po përfliten gjithnjë e më shumë për një largim të mundshëm nga qeveria.

Ndërkohë, partneri i dytë në koalicion pritet të marrë Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes. Petrit Vasili dhe Sokol Dervishi janë dy politikanët që mund të zëvendësojnë Ilir Beqaj dhe Mimi Kodhelin në këto dy dikastere.

Gjithsesi këto nuk janë ndryshimet e vetme që mund të ndodhin, pasi edhe në Ministrinë e Turizmit përflitet për një largim të mundshëm të Milva Ekonomit dhe kalimin e saj në drejtimin e LSI. /Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu