Nga MIKELJANA PRENJA
Kur shohim filmin “Shokët”, prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1982, ka një pjesë në film kur inxhinier Genci, ecën në një platformë betoni dhe pas tij bien copa të mëdha metali të shkrirë në formë llave. Genci, që luhet mjeshtërisht në këtë film nga aktori i madh Vangjush Furrxhi që për të treguar hallin e sikletin e madh të sabotimit të linjës së re të prodhimit, heq e vendos në kokë kapelen e punës, tregon madhështinë e një fabrike që gjendet pas tij.
Bëhet fjalë për uzinën e Koksit (Bateri e Koksit) në Kombinatin Metalurgjik me emrin e madh “Çeliku i Partisë” në Elbasan. Uzina e Koksit ishte e madhe, kishte shumë reparte të tjera brenda saj duke përfshirë atë të qymyrit, repartet mekanike etj.
E filluar si ndërtim në vitin 1973 falë bashkëpunimit shqiptaro-kinez të asaj periudhe, Uzina e Koksit ndezi oxhakët në 1975-ën për të funksionuar në tre reparte: atë të përpunimit të lëndës së parë; baterinë e Koksit dhe repartin e përpunimit të gazrave. 619 persona punonin në këtë uzinë në kohën e shkëlqimit të saj, ku pa mineralin Koksi, nuk mund të kishte sukses në metalurgjinë e kromit dhe të bakrit në Shqipëri, dy minerale të rëndësishme e për të cilat Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, ishte kampione dhe në tregjet ndërkombëtare.
Qymyri i Koksit mund të ketë shërbyer për të ndërtuar dhe për t’u dhënë jetë me dhjetëra objekteve të mëdha në Shqipëri. Por kjo është bërë me kosto të mëdha njerëzore. Ekspertët e kohës së diktaturës kanë vlerësuar dhe kanë lënë të shkruar se 300 mijë tonë qymyr koksi prodhohej në vit dhe gjysma e këtij prodhimi përdorej nga vetë furrnalta e shkrirjes së Metalurgjikut. Ndërsa pjesa tjetër u vinte në punë qindra uzinave e fabrikave të vogla në të gjithë vendin. Në vitet e shkëlqimit të uzinës, nuk ka pasur incidente madhore.
Por në vitet e demokracisë, në 2005, një zjarr i madh i shkaktuar në Uzinën e Koksit, shkaktoi shtëllunga të mëdha tymi e gazrash toksikë që dolën në ambient të hapur, duke krijuar një rrezik të madh për shëndetin e banorëve të atyre zonave, por edhe përreth. Jo më kot që në kohët e partisë Uzina e Koksit konsiderohej si “uzina e vdekjes”.
Punëtorët që hynin në këtë uzinë, o kishin probleme shëndetësore, ose e kishin jetën më të shkurtër. Shkak, ka qenë pikërisht procesi i gazrave të mbledhur nga shkrirja e miner[1]aleve e që çoheshin në repartin e shkrirjes së gazrave. Shumë nga ata që kanë punuar në këtë uzinë, sot mbartin me vete ato që konsiderohen si “sëmundje profesionale”. Të tjerë, në kohën e demokracisë, e kanë humbur betejën me jetën prej punës në këtë uzinë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetedy të Revistës Neësbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…