Hapësire reklamuese

Rajoni

Të enjten dorëhiqet Dimitar Kovaçevski, Maqedonia në pritje të Talat Xhaferit!

Shkruar nga Newsbomb
Të enjten dorëhiqet Dimitar Kovaçevski, Maqedonia në

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka konfirmuar se ditën e enjte, 25 janar, do të japë dorëheqjen. Në një deklaratë për mediat kreu i qeverisë maqedonase bëri me dije se para seancës kuvendore të caktuar për të premten qeveria do të japë dorëheqjen.

“E gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje të enjten në ora 10:00. Kështu që askush nga ministrat nuk ka nevojë të jep dorëheqje, sepse me dorëheqjen e kryeministrit, e gjithë qeveria është në dorëheqje”, deklaroi Kovaçevski.

Pas dorëheqjes së Kovaçevskit do të pasohet me formimin e qeverisë teknike. Më 28 janar 2024, Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar, fakt i cili tregon qartë për ndryshimet rrënjësore të vendit i cili kohë më parë ishte i përfshirë nga luftërat ndëretnike. Kryeparlamentari i Kuvendit, Talat Xhaferi, do të emërohet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh dhe kryeministri i parë shqiptar në 100 ditëshin e fundit të Qeverisë.

Talat Xhaferi me marrjen e këtij posti bëhet kështu kryeministri i tretë shqiptar në Ballkanin Perëndimor, pas kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Kush është Talat Xhaferi

Ai lindi më 15.04.1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.  Shkollimin fillor e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak. Pas kësaj vazhdoi karrierën e formësimit ushtarak, kështu që u regjistrua dhe studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të APJ drejtimi këmbësori në Beograd dhe më pas Sarajevë. Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj.

Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.Më 28 prill të 2001,kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Ai u rikthye si deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe në 2017 mori postin e Kryetarit të Parlamentit, duke u bërë kështu shqiptari i dytë në post pas Vullnet Starovës i cili ishte kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të federatës së Jugosllavisë nga viti 1986 – 1991.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese