Taulant Balla, kreu i grupit socialist, duket se ua ka mbledhur “rrup-sup” ministrave në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS. Shkak është bërë mungesa e tyre në shumë seanca plenare ndërkohë që mazhoranca, edhe për mungesë të votave të tyre, shpesh është në vështirësi vendimmarrjesh për kalim ligjesh.
Taulant Balla, u ka kërkuar ministrave në mbledhjen e sotme, që përveç faktit se duhet të kordinojnë axhendën e tyre të udhëtimeve me Këshillin e Ministrave, duhet ta bëjnë këtë edhe me grupin parlamentar të PS dhe me sekretariatin e grupit, raporton newsbomb.al.
Ndërkohë, numri dy I socialistëve tha se mbledhja e asamblesë së PS pritet të mbahet gjatë muajit shtator. Nga kjo mbledhje, pritet të ketë edhe ndryshime qeverie, sikurse vetë kryeministri Rama ka përmendur më herët.
Taulant Balla, që kishte fjalën kryesore sot në mbledhjen e grupit parlamentar, u kërkoi deputetëve të mos bëjnë ndërhyrje për punësime, nisur nga shqetësimi që ka marrë edhe nga ministrat dhe nën argumentin e bërjes së një administrate sa më cilësore, raporton newsbomb.al.
Ndërkohë që në shtator, socialistët, sipas porosisë së kryetarit të grupit, duhet të ndezin motorrët e fillimit të fushatës për zgjedhjet e ardhshme vendore që pritet të mbahen në qershorin 2019.
Të gjitha vërejtjet e Taulant Ballës, janë bërë në prezencë të kryeministrit Rama dhe vetë Ministrave. NEWSBOMB.AL/