
Në maj të këtij viti Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Bashkitë përkatëse ka nisur procesin e formalizmit të qindra mjeteve bujqësore, rimorkio agregat që deri më sot ishin të paregjistruara.
Një proces i rëndësishëm dhe që ju vjen në ndihmë të gjithë fermerëve pasi formalizon mjetin, duke vendosur në një kornizë të plotë ligjore, një pasuri të tyre, nga e cila përfitojnë një numër i konsiderueshëm fermerësh në të gjithë vendin.
Gjatë nisjes së procesit ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se kjo është një nismë e rëndësishme për pasurinë e fermerëve, por edhe të shtetit, pasi me këtë mënyrë inventarizohet e gjithë flota bujqësore në vend.
“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe automjetet bujqësore të targohen, të regjistrohen dhe të futen në një legjitimitet të munguar deri më sot me idenë se operojmë nëpër fusha, por ju ecni edhe në rrugë për të kaluar nga njëra parcelë në tjetrën. Është bërë një punë e mirë dhe unë besoj që do kthehet në një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë”, u shpreh Balluku.
Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) Blendi Gonxhja, tha se kjo nismë do të ndihmojë në sigurinë rrugore.
Mirëpo, edhe pse u tha se kostot do të jenë të ulëta për fermerët që i nënshtrohen procesit të targimit të mjeteve bujqësore, sërish kishte pikëpyetje. Procesi u përdor dhe për politikë, pasi ligjvënës të opozitës thanë se e gjitha po bëhej për vota dhe fermerëve do u kushtonte shtrenjtë.
Por duket se këto akuza dhe pretendime janë thjesht politike dhe pa asnjë bazë të vërtetë.
Në këtë artikull ne faktojmë procesin që duhet të ndjekë një fermerë për targimin e mjeteve bujqësore, por edhe koston e vërtetë që do paguajë ai për regjistrimin e mjetit. Për newsbomb.al, DPSHTRR tregoi hap pas hapi procedura dhe kostot e targimit të mjeteve bujqësore.
Procedura që ndiqet për regjistrimin e mjeteve bujqësore:
- Të gjithë të interesuarit që kanë mjete të tilla mund të kontaktojnë zyrën e bujqësisë pranë njësive administrative/bashkive, të cilat i dërgojnë më pas listën Drejtorisë Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor të qarkut përkatës (lista e mjeteve bujqësore dhe pronarët e tyre) e cila merr më tej masat e nevojshme për të ndjekur të gjitha rastet.
- Punonjësi i DRSHTRR, specialisti i identifikimit të treguesve teknik të mjetit, shkon për të kryer kqyrjen fizike të makinës bujqësore direkt në vendin ku mjeti ndodhet përmes procedurës të lehtësuar dhe të përshpejtuar të kontrollit fizik në terren, duke i kursyer rrugë e kilometra, kohë e shpenzime, bujqve dhe fermerëve. Pasi përfundon procesi i identifikimit të treguesit teknik të mjetit, pronari pajiset me “Dokumentin e identifikimit te treguesve teknik”.
- Me “Dokumentin e identifikimit të treguesve teknik” dhe “Deklaratën e marrjes së përgjegjësisë”, zotëruesi i mjetit bujqësor nëpërmjet zyrave të shërbimit doganor, pajiset prej tyre me “Deklaratën Doganore”.
- Më pas, zotëruesi i mjetit bujqësor paraqitet pranë zyrave të DRSHTRR-së për të kryer dhe përfunduar procedurat e regjistrimit të mjetit bujqësor, duke dorëzuar dokumentet:
-
- Deklaratën e marrjes së përgjegjësisë ku evidentohet se ai posedon makinën bujqësore;
- Dokumentin e identifikimit të treguesve teknik, të lëshuar nga specialisti i DRSHTRR së gjatë kontrollit të zhvilluar në ambientin ku mjeti ndodhet;
- Deklaratën doganore të lëshuar nga zyrat doganore.
Tarifat që duhet të paguajnë fermerët për të formalizuar mjetet bujqësore që kanë nuk i kalojnë 53 mijë lekë të vjetra, ose 5,300 lekë të reja në total. Ky proces ka ngjallur interes të lartë edhe nga ana e vetë fermerëve, pasi formalizojnë mjetet e tyre të punës, të cilat deri më sot nuk figurojnë askund.
Tarifat për regjistrimin e mjetit bujqësor janë:
- Tarifa e shërbimit për verifikimin e treguesve teknik - 1,500 lekë;
- Tarifa doganore për makinat bujqësore është 0 lekë. Tarifat e shërbimeve të tjera në doganë janë të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
- Tarifa vjetore për përjashtim nga taksat - 200 lekë - këto mjete janë të përjashtuara nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura;
- Tarifa për lëshimin e targës – 1,500 lekë
- Tarifa për pajisje me leje qarkullimi – 2,100 lekë
Aktualisht, ky shërbim ofrohet për të gjithë të interesuarit, ku ka nisur procesi në qarkun Dibër dhe Fier, ku në qarkun Dibër (Klos, Burrel, Bulqizë, Peshkopi) raportohen mbi 290 mjete bujqësore të identifikuara në terren, si dhe në Fier (duke përfshirë edhe Lushnjën dhe Divjakën) janë identifikuar deri më tani 100 mjete e pritet që kjo shifër të rritet nga kërkesat e të interesuarve.
//Nga Mikeljana Prenja