Talebanët kanë rrëmbyer gjashtë gazetarë afganë në provincën Paktia të Afganistanit.
Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i grupit të armatosur, i cili tha se ata janë rrëmbyer gabimisht.
Gazetarët ishin duke marrë pjesë në një takim pune të medieve në provincën fqinje, Paktika, e cila shtrihet në pjesën lindore të Afganistanit, ndërsa u rrëmbyen gjatë kohës kur ishin duke u kthyer nga ky organizim.
Gazetarët e rrëmbyer punojnë për organizata mediatike private dhe qeveritare, të cilat transmetojnë lajme në gjuhët Pashto dhe Dari.
“Po, luftëtarët tanë i kanë rrëmbyer gazetarët gabimisht. Tani për tani, shërbimet e komunikimit nuk janë duke punuar, por ata do të lirohen sapo të vendosim kontakte me komandantin lokal”, tha një zëdhënës i talebanëve.
Po ashtu guvernatori i kësaj province ka thënë se janë duke bërë përpjekje të negociojnë me talebanët për lirimin e gazetarëve.
Kjo ngjarje erdhi në kohën kur po zhvillohen negociatat e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump deklaroi se ka anulluar marrëveshjen me talebanët, pasi këta të fundit kanë vrarë një ushtar amerikan.