Hapësire reklamuese

Politikë

Talat Xhaferi emërohet kryeministër i Maqedonisë së Veriut, opozita e uron njëzëri

Shkruar nga Newsbomb
Talat Xhaferi emërohet kryeministër i Maqedonisë së Veriut,

Kreu i grupimit të Rithemelimit, Sali Berisha ka uruar Talat Xhaferin, i cili sapo është zgjedhur si kryeministër në Maqedoninë e Veriut.

Në mesazhin e tij, Berisha shkuan se sot është një ditë historike dhe e konisderon një arritje të vërtetë, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të vendit fqinj.

Një ditë historike për Maqedoninë e Veriut.

Miq, sot Talat Xhaferi, ish-Ministër i Mbrojtjes dhe ish-Kryetar i Parlamentit votohet në një akt historik si Kryeministër i parë shqiptar i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është një arritje e vërtetë jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të vendit fqinj. Me këtë rast në emër të Partisë Demokratike i uroj kryeministrit Xhaferi suksese në misionin e tij të rëndësishëm,” shkruan Berisha.

Sakaq, nuk ka munguar as urimi i kryetarit të PD zyrtare, Lulzim Basha. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha nënizon faktin se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Urime të përzemërta Talat Xhaferit, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur.

Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur,” shkruan Basha.

Ndërsa në mesazhin e tij të urimit, Ilir Meta shkruan se është besimplotë se qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi!

Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik, Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të Maqedonisë së Veriut”, shkruan Meta.

Pas votimit të qeverisë teknike, Xhaferi bëri betimin ku u shpreh se do zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ai shtoi se Maqedonia e Veriut do të ruajë partneritetin me NATO-n dhe do t’i mbetet besnike politikave të Bashkimit Evropian.

Talat Xhaferi është i pari politikan shqiptar që zgjidhet në këtë post në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në seancë, ishin 11 deputetë nga 120 që ka në total Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Talat Xhaferi më herët ka thënë dhe se ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, por sipas tij tani ky është një realitet. 

Xhaferi u propozua për kryeministër teknik nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në koalicion qeveritar me LSDM-në.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, politikani shqiptar Talat Xhaferi dha zyrtarisht dorëheqjen nga detyra disa ditë më parë duke u përgatitur të jetë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar i atij vendi. Ai do të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 8 Majit 2024.

Talat Xhaferi ka drejtuar për dy mandate me radhë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga partia e Ali Ahmetit dhe tashmë do të drejtojë dhe qeverinë e përkohshme.

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese