
28 Janari i 2024-ës do të mbahet mend në histori si dita kur Maqedonia e Veriut zgjodhi për herë të parë një kryeministër shqiptar. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut deri në formimin e qeverisë së re.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në vend do të mbahen më 8 maj. Qeveria e Talat Xhaferit u zgjodh më 28 janar, me 65 vota pro dhe tre kundër. VMRO-DPMNE-ja ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ashtu si dhe kishin paralajmëruar më herët.
Ndërkaq një javë pas marrjes së detyrës, Talat Xhaferi ka dhënë një intervistë për Top Channel. Kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut foli për programin e tij qeveritar që do ndjekë në 100 ditë e qeversijes.
Lexo edhe: Talat Xhaferi se tradhton fshatin e lindjes as si kryeministër: Do jetoj aty
Xhaferi theksoi se përcaktimi identitar është cështje e garantuar nga kushtetuta vendase si dhe konventat ndërkombëtare.
“Konteksti dhe kontesti është në aspekt të raporteve dypalëshe fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilat edhe është kushtëzuar rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian. Në parapërgatitjet dhe në proceset dhe procedurat paraprake institucionale, ne jemi në fazën e inicjimit, tanimë të inicjuara nevojat për miratim të vendimit për qasje në ndryshimet kushtetuese, që të mund të aplikohet e drejta dhe të sanksionohet e drejta e qytetarëve, dhe konkretisht të atyre që kanë ndjesi të përkatësisë, në këtë rast, bullgarët dhe kesisoj, të përmbushet edhe një aspekt i këndvështrimit të asaj që është hapja e rrugës sonë drejt anëtarësimit”, tha ai.
Talat Xhaferi bëri ndër të tjera një sqarim lidhur me statusin e tij në krye të qeverisë. Ai tha se statusi i tij nuk është teknik, pasi një term i tillë nuk ekziston as në ligjin për qeverinë, e as në kushtetutë.
Xhaferi sqaroi se statusi i tij nuk është teknik për shkak se qeveria, mbi bazë të marrëveshjes së Përzhinës si vendim politik, ka qenë e kushtëzuar me ndryshimet e ligjit se qeveritë e ardhshme nga 2016-ta e këtej, qofshin të parakohshme apo të rregullta, në përbërjen e qeverisë në 100 ditët e fundit të qeverisjes do t`i shtohen ministrat shtesë të opozitës për të siguruar pajtueshmëri me rezultatet e zgjedhjeve.
“Statusi im nuk është si teknik për shkak se qeveria, mbi bazë të marrëveshjes së Përzhinës si vendim politik, ka qenë e kushtëzuar me ndryshimet e ligjit për qeverinë që qeveritë e ardhshme nga 2016-ta e këtej, qofshin të parakohshme apo të rregullta, në përbërjen e qeverisë në 100 ditët e fundit të qeverisjes do t`i shtohen ministrat shtesë të opozitës për të siguruar pajtueshmëri me rezultatet e zgjedhjeve. Nocioni i përkohshëm, nocioni teknik nuk ekziston as në ligjin për qeverinë, as në kushtetutë. …a do të thotë ajo se nuk do te merremi me veshtje të tjera që dalin vec zgjedhjeve, keshtu qe termi teknik është vetëm një term popullor që përdoret jashtë atij që është nocioni dhe statusi i vërtetë i qeverisë. Cështja e përcaktimit të faktorit shqiptar të opozitës, jo se nuk më votuan mua, por fatkeqësisht, është një përsëritje e rasteve të ngjashme në histori.
Nëse shkojmë më larg, të dhënat historike tregojnë se në krijimin e shtetit grek, në 1821, dhe me themelimin e KUvendit, ka qenë mundësia e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në parlamentin grek. Dhe ajo nuk u bë për votën e një pjesëtari shqiptar. Historia i flet këto fakte, janë fakte historike. I kthehemi kësaj historisë më të re ku jemi; në 1998-tën, paszgjedhjeve parlamentare, opozita e atëhershme LSDM dhe pjesa tjetër e opozitës, patën propozuar të ndjerin Abdurrahman Haliti për kryetar parlamenti në Maqedoni. Për fat të keq, pjesa që kishte fituar zgjedhjet dhe që u bë pjesë e shumicës parlamentare e udhëhequr nga VMRO DPMNE në atë kohë, nuk e mbështeti, dhe për fat të keq për në përsëritet e njëjta situatë aktualisht…por fjalën e fundit do ta japë konteksti historik, unë jam i përqendruar në punën që është kompetenca ime…”, u shpreh Talat Xhaferi.
Përbërja e kabinetit qeveritar te Talat Xhaferit:
Në përbërjen e qeverisë kalimtare, zëvendëskryetar i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane është Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi është ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Pançe Toshkovski me propozim të VMRO-DPMNE-së është ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Gjoko Vellkovski për Punë dhe Politikë Sociale.
Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Lloga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – ministre e Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.
Kuvendi në mbledhjen e 142-të zgjodhi edhe zëvendësministrat dhe zëvendësministrat plotësues në Qeverinë teknike, mandati i të cilëve do të jetë deri në zgjedhjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të caktuara për në 8 maj. Zëvendësministër plotësues i Punëve të Brendshme nga radhët e LSDM-së është zgjedhur Mitko Bojmacaliev, ndërsa zëvendësministre plotësuese në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.
Zëvendësministër plotësues i Financave nga radhët e VMRO-DPMNE-së është zgjedhur Elena Petrova, zëvendësministër plotësues i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Strefan Andonovski, ndërsa i Bujqësisë, pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.