Ministri italian, Paolo Gentiloni është shprehur se ky takim ishte një mesazh i qartë për europën dhe e ka konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Serbisë në BE si një angazhim strategjik të Italisë
Është zhvilluar sot në Romë takimi trepalësh midis Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, një nismë e diplomacisë italiane për të nxitur dialogun midis Tiranës dhe Beogradit, si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit rajonal.
Në takimin ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të tre shteteve është dikskutuar për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe proceset integruese të tyre. Ministri italian, Paolo Gentiloni është shprehur se ky takim ishte një mesazh i qartë për europën dhe e ka konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Serbisë në BE si një angazhim strategjik të Italisë.
“Ky takim i parë trepalësh është dhe një mesazh i qartë drejtuar Europës. Takimi i sotëm është i rëndësishëm për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve dhe uroj ky të jetë një hap i parë për të ecur përpara dhe në muajt që vijnë”, tha Gentiloni.
Ministri Ditmir Bushati në fjalën e tij deklaroi se takimi i sotëm kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ka kërkuar një forcim të shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Serbisë. “Takimi i sotëm i kontribuon stabilitetit në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Dialogu duhet të pasohet dhe nga një forcim i shkëmbimeve tregtare duke rrëzuar paragjykimet ekzistuese”, ka thënë Bushati.
Edhe ministri serb, Ivica Daçiç ka kërkuar një bashkëpunim më të gjërë duke u bazuar siç tha ai në pikat që na bashkojnë. “Ne duhet të mësohemi të flasim për të gjitha problemet, edhe kur për to nuk kemi konsensus. Duhet të përqëndrohemi te pikat që na bashkojnë dhe jo te ato që na ndajnë”, deklaroi Daçiç.