Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel pas takimit me ministrat e jashtëm ka folur për media, ku është shprehur se në mbledhje është diskutuar për Ballkanin Perëndimor.
Ai gjatë fjalës së tij tha se EULEX dhe KFOR do të vazhdojnë punën për të siguruar stabilitet në veri të Kosovës.
“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne.
Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së NATO-s në Kosovë, në veri. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha ai.
Ndër të tjera zyrtari i lartë i BE i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen për të vënë në funksion marrëveshjet e arritura së fundmi.
“I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre europiane”, u shpreh Borrelll ndër të tjera.