
I zhgënjyer dhe i lodhur...
Kështu është shfaqur Saimir Tahiri i cili pas tre vitesh nëpër gjykata, kthehet sërish në pikën 0 pasi sot kur pritej që Apeli të merrte një vendim të formës së prerë, e riktheu çështjen në Gjykatën Speciale.
“Jo nuk e prisja, mendoja që mbas thuajse tre vitesh, historia do merrte një drejtim, drejtimi në pikën zero është padrejtësi. Mua realisht nëqoftë se ka dhe një njeri të dytë në repuiblikën e Shqipërisë që është zvarritur dyerve të gjykatave, më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam mbajtur, kontributin që kam dhënë edhe si deputet edhe si gjithcka, më vjen ndot dhe turp realisht", u shpreh i ngarkuar emocionalisht ish-ministri i Brendshëm.
"Është totalisht e pakuptimtë për mua të zgjasë kjo histori 3 vjet. Unë nuk kam asnjë emocion tani përveç domosdoshmërisë për të shkuar deri në fund me drejtësinë.
Beteja fillon nga e para. Gjykata tha Prokuroria nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit për ushtrimin e vepres penale. Cilat janë këto unë nuk e di.
Është e qartë si drita e diellit që me këtë zvarritje, drejtësia s’është më drejtësi. Duhet të shoh vendimin. Unë si ministër i coja cdo javë një shkresë Presidentit me emra gjyqtarësh që kishin shkelur ligjin, e bëja publikisht jo nën rogoz. Nuk kam bërë asnjë lloj kompromisi. Unë në këmbë do jem prapë, i lirë apo jo”, u shpreh Tahiri duke përsëritur se ‘s’ka bërë asnjë faj’.