Një sulm i përgjakur ka tronditur Parisin mbrëmjen e së shtunës.
Një 24-vjeçar me origjinë gjermane ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur në qendër të Parisit, kur një 26-vjeçar i sulmoi ata me thikë dhe çekan.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka thënë se viktima 24 vjeç, ka qenë me gruan e tij, kur është sulmuar për vdekje. Ndërkohë dy të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në spital. Për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën.
Mediat e huaja raportojnë se sulmi ka ndodhur në afërsi të Kullës Eiffel rreth orës 21:00. Autori është vënë në pranga, ndërsa mësohet se është person i njohur për policinë franceze.
26-vjeçari, autor i dyshuar i sulmit ka qenë dënuar me katër vite burgim, për një tjetër sulm më 2016, dhe ka qenë në listën e vëzhgimit të shërbimeve të sigurisë. Autoritetet bëjnë me dije se 26-vjeçari është përballur me çrregullime mendore në të kaluarën.