Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin për tensionet në rritje në Ballkanin Perëndimor, duke premtuar se Aleanca Veri-Atlantike do të bëjë gjithçka për të ruajtur stabilitetin në rajon.
Stolteberg tha se janë në dijeni dhe kanë parë të gjitha incidentet e ndodhura në Kosovë, duke theksuar se NATO do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ruajtur dhe siguruar stabilitetin në rajon, pasi është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjithë Europën.
“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Ne po shohim një rritje të tensioneve dhe retorikës provokuese në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë, përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa në gjendje shumë të rëndë. Sulmin e patëm edhe në Banjska.
NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të ruajtur ose siguruar stabilitetin në rajon, sepse është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjithë Evropën”, theksoi Stoltenberg.
Ministrat e Jashtëm të 31 vendeve anëtare të NATO-s, në takimin në Bruksel i cili do të zhvillohet sot dhe nesër, 28-29 nëntor, do të diskutojnë ndër të tjera për situatën e sigurisë në rajon.
Ditën e djeshme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se në takim do të diskutohet mundësia e rritjes së përhershme të numrit të trupave në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.
Pas sulmit në Banjskë më 24 shtator, ku kriminelët serbë sulmuan oficerët e policisë dhe mbeti i vdekur efektivi, Afrim Bunjaku, NATO ka forcuar praninë e trupave ushtarake në Kosovë. Tani po shqyrtohet mundësia që numri i shtuar i trupave të jetë afatgjatë, si dhe që trupat të kenë kapacitete të zgjeruara ushtarake.
Debati për rajonin do të mbahet pasditen e së mërkurës, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.