Qeveria vendosi në vitin 2015 që shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale të kalonte me koncesion. Më 10 dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë, lidhi një kontratë koncesionare 10-vjecare me kompaninë “Sani Service”.Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare dhe me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.
Ndërkohë në 2018 shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat, ishin 2 miliardë lekë, ose thënë ndryshe 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliard e 560 milionë lekësh, që ishte planifikuar në buxhetin e vitit 2018.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë ngriti një grup pune, në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialistë për rishikimin e seteve kirurgjikale. Kjo u bë me qëllim për të ulur numrin e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë ulej edhe kostoja financiare.
Mjeku urolog, Artan Koni, i cili ishte personi i parë që denoncoi çështjen e “Sterilizimit” dhe u pyet nga prokurorët e SPAK, ndërsa tha se deklaratat e tij kishin për qëllim të ndihmonin prokurorët për të kuptuar mënyrën e llogarive dhe kostot financiare në këtë sektor.
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.
Kjo kontratë u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.
Sipas një artikulli të publikuar nga Reporter.al, thuhet se dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një hetimi të zhvilluar në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.
Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja.
Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.
“Ky koncesion pikërisht për të ruajtur këtë investim, parashikon ta jetësojë këtë qendër, duke e vënë në punë atë,” deklaroi në Prokurori një nga anëtaret e komisionit.
Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.
Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.
Lexo edhe: /Koncesioni i sterilizimit, ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani thirret në SPAK